Paris Saint-Germain sheh një rreze drite në fund të tunelit, për sa i përket çështjes së rregullit të “Fair Play”-t financiar. Kjo, falë pjesëmarrjes së tij në Champions League.

Kampionët e Francës do të arkëtojnë këtë sezon, nga kompeticioni më i rëndësishëm europian për klube, shifrën e 80 milionë eurove, pa e kaluar ende fazën e 1/8-ave të finaleve.

PSG-së i duheshin 170 milionë euro për të rregulluar situatën financiare në kuadër të “Fair Play”-t financiar, për të evituar përjashtimin nga kompeticionet europiane, ndërkohë që është në pritje të zgjidhjes së kësaj çështjeje në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.

Shifra prej 80 milionë eurosh u jep mundësinë parizienëve të marrin frymë lirisht, në lidhje me këtë çështje, e ajo që të bën përshtypje është se shpërblimi është 18 milionë euro më i lartë në krahasim me vitin e kaluar. Këto përfitime janë bazuar në renditjen e UEFA-s, e PSG-ja ishte në vendin e 9 duke përfituar 26.6 milionë euro.

Nga përllogaritjet e kryera rezulton se, në shifrën prej 80 milionë eurosh të shpërblimit për PSG-në përfshihet edhe 15.25 milionë eurot për pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Championsit, bonuset për ndeshjet e grupit C dhe shpërblimi ekstra për kualifikimin në 1/8-at e finaleve, si dhe ajo prej më shumë se 20 milionë eurosh nga e drejta televizive.

Top Channel