Ekonomia gjermane ka përjetuar një periudhë të gjatë lulëzimi ekonomik. Por, perspektiva për të ardhmen nuk është dhe kaq e mirë, e pohuar kjo nga vetë Presidenti i Dhomës Gjermane të Tregtisë dhe të Industrisë.
Ky organizëm pret që në vitin 2019 të krijohen më pak vende të reja pune në vend. Presidenti i tij, Eric Schweitzer citohet nga DW të pohojë se mund të krijohen 500 000 vende pune shtesë dhe kjo në një kohë kur në vitin 2017, punësimet e reja mbërrinin në 630 000.
“Besoj se ekonomikisht, rrallëherë kemi pasur kaq shumë pasiguri sa tani”, shprehet Schëeitzer. Brexit, grindje tregtare, gjendje jo e qëndrueshme në Itali ose në Turqi, konflikte në Lindjen e Afërt, kërcënim për dogana për automjetet në SHBA, të gjitha këto ndikojnë, sipas tij.
“Presim një rritje më të dobët. Para së gjithash, paralajmërimet për vëllimin e eksporteve janë më të ulëta”, shpjegon Schweitzer, duke sqaruar se nuk bëhet fjalë për rrezik akut recesioni, por gjithsesi hapësira e manovrimit po ngushtohet.
Me shqetësim shihet edhe konflikti tregtar mes SHBA dhe Kinës. Një luftë e mirëfilltë tregtare do të çonte në zhvendosje kolosale në ekonominë botërore dhe kjo do të kishte pasoja të rënda edhe për Gjermaninë. Asnjë vend, thotë Schweitzer, nuk është kaq i varur nga eksporti sa ne, e kësaj situate i shtohet dhe mungesa e fuqisë së kualifikuar punëtore, që i vë uzinat në të gjithë Gjermaninë para një problemi gjithnjë e më të madh.
Për 1,6 milionë vende pune në plan afatgjatë sipërmarrjet nuk do të gjejnë dot punonjës.
Top Channel