Plot 40 emigrantë, përfshi këtu edhe dy fëmijë, janë shpëtuar nga varkat e tyre të papërshtatshme për lundrim në 5 incidente të ndara nga njëra-tjetra, pikërisht në ditën e Krishtlindjes në ujërat e ngushticës së La Manshit, mes brigjeve franceze dhe atyre angleze.
=
Varkat e shpëtimit dhe një helikopter i Rojes Bregdetare pikasën një mjet lundrues me 12 persona dhe një fëmijë larg brigjeve të Deal, në Kent, rreth orës 5:30 të mëngjesit të sotëm. Asnjëri prej tyre nuk është parë të mbante veshur jelekë shpëtimi. Ndërkohë, një vajzë e vogël ishte mes 8 emigrantëve që mbërritën në Folkestone rreth orës 3:40 të mëngjesit.
Ministria e Brendshme njoftoi gjatë ditës se disa prej emigrantëve ishin identifikuar si irakianë, iranianë dhe afganë. Por, vetëm fëmijët do të vihen nën kujdesin e shërbimeve sociale, sipas asaj që komunikuan zyrtarët britanikë.
Në disa incidente të tjera, një anije patrullimi e forcave kufitare u dërgua në 6:50 të mëngjesit në ngushticën e njohur edhe si kanali anglez nga britanikët, për të ndihmuar një gomone që po lundronte drejt ishullit britanik me 7 burra dhe një grua në bord.
Të gjithë ata iu nënshtruan kontrolleve mjekësore dhe të rriturit u transferuan drejt zyrave të emigracionit për t’u marrë në pyetje. Zyrtarët francezë të forcave detare publikuan pamjet e shpëtimit, që tregojnë se të paktën disa prej 8 personave, jo të gjithë, mbanin veshur jelekët e shpëtimit nga mbytja.
[#operation #migrant] ➡️https://t.co/Ef53ddwmPl Huit migrants secourus ce matin dans le détroit du pas de #Calais sous la coordination du CROSS Gris-Nez. pic.twitter.com/uKd4YtXCtw
— PREMAR Manche (@premarmanche) December 25, 2018
Në ujërat franceze të ngushticës së La Manshit, 9 emigrantë u shpëtuan gjithashtu, por përfunduan në Britani pasi motori i mjetit të tyre lundrues u prish gjatë rrugëtimit. Një tjetër varkë shpëtimi pikasi më vonë një mjet me dy persona në bord, rreth 8 milje detare larg Doverit, që po drejtohej pikërisht drejt Britanisë së Madhe.
“Faktet tregojnë se ekziston një aktivitet i bandave të krimit të organizuar që fshihet pas përpjekjeve të paligjshme për emigrim përmes varkave të vogla dhe të papërshtatshme për lundrim në ujërat e kanalit anglez. Po punojmë së bashku me autoritetet franceze dhe partnerët e agjencive ligjzbatuese për të goditur këto banda, që po shfrytëzojnë njerëz tepër të dobët e të gatshëm për të vënë jetët e tyre në rrezik”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme angleze.
Top Channel