Kur vijnë festat e fundvitit, çdokush kërkon të bëjë sa më mirë në aspektin human e të japë mesazhe pozitive për shoqërinë e sotme.

Viti 2018 nuk ka bërë asnjë përjashtim dhe nuk janë të paktë ata që kanë dhënë kontributin e tyre për të ndihmuar shtresat që kanë vështirësi të shumta.

Futbollisti i Lacit dhe i Kombëtares shqiptare, Gentian Selmani e ka ndërmarrë një veprimtari bamirësie me rastin e festave të fundvitit teksa ditën e hënë vizitoi ambientet e shtëpisë së fëmijës ‘Zyber Hallulli’ duke u bërë dhurata fëmijëve të kësaj shtrese.

“Sot kam ardhur këtu tek shtëpia e fëmijës,“Zyber Hallulli” sepse jemi në periudhë festash dhe jam munduar të kontribuoj sadopak, për fëmijët që janë në nevojë dhe ti bëjmë sa më të lumtur. Këta fëmijë e meritojnë të jenë të lumtur si çdo fëmijë tjetër, me disa kursime nga paga ime dua që t’i bëj të lumtur. I uroj të gjithë fëmijëve, të kalojnë gëzueshëm me festat dhe një vit të ri sa më të bukur. Gjithashtu edhe futbollit shqiptar dua ti uroj, që nga FSHF, Presidentit Duka e të gjitha ekipeve, futbollistëve, e në veçanti ekipit tim, Laçit, gëzuar festat dhe një vit sa më i mbarë”, u shpreh Gentian Selman, futbollist i kombëtares.

Gentian Selmani duket se e ka kthyer në një traditë këtë gjest bamirësie pasi është viti i dytë radhazi që ai jep kontributin e tij që këta fëmijë të festojnë sa më bukur festat e fundvitit.

Top Channel