“Dëshira” e Trumpit për të shkarkuar shefin e Rezervës Federale “trondit” bursat

25/12/2018 17:02

Bursa e “Wall Street”-it është mbyllur me rekordin më të keq të Krishtlindjes në histori, me indekset e saj “Dow Jones” dhe “Nasdaq” që kanë rënë në minimumin e 20 muajve të fundit.

Indekset amerikane kanë humbur në fakt më shumë se 2 për qind, kryesisht për shkak të mbylljes së pjesshme të qeverisë, por edhe nga zërat për një shkarkim të mundshëm të shefit të Rezervës Federale, Jerome Powell, nga ana e presidentit Donald Trump.

Në gjurmët e “Wall Street”-it kanë ecur më pas edhe bursat aziatike, me indeksin “Nikkei” në Tokio që u kuotua me -5 për qind. Ndërkohë, bursat europiane kanë pasur shkëmbime të reduktuara, me ato të Parisit dhe Londrës që kanë regjistruar po ashtu rënie të lehta.

Sipas ekspertëve, seria e telefonatave të Sekretarit amerikan të Thesarit, Steven Mnuchin, me administratorët e 6 bankave më të mëdha amerikane ka pasur efekte negative, e nuk ka mundur të zbusë frikën për Rezervën Federale.

Vet Trumpi ka sulmuar për të disatën herë Bankën Qendrore amerikane.

“Rezerva Federale është problemi i vetëm që ka ekonomia jonë”, ka shkruar ai në Twitter, duke rindezur shqetësimet për të ardhmen e Powell.

Ajo që ka komplikuar më shumë situatën është mbyllja e pjesshme e shërbimeve federale amerikane, për të cilën nuk shihet një fund. Ka nga ata që thonë se mbyllja e qeverisë mund të zgjasë deri në fillim të vitit 2019, ndërkohë që vet presidenti Donald Trump thotë se nuk do të lëshojë pè, derisa kërkesa e tij për financimin e ndërtimit të një muri në kufirin me Meksikën të plotësohet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA