Keku me xhinxhëfill është një traditë shekullore në qytetin polak të Torunit. Atje, mjeshtrat e njohin mirë zanatin, ndërsa ëmbëlsira vet është kthyer në pjesë të kulturës vendase.
Ky lloj keku prodhohet me miellin dhe mjaltin më të mirë, që ka një shije unike të zonës dhe me erëza orientale.
Brumi punohet për një kohë shumë të gjatë dhe artizanët e fabrikës “Kopernik” të qytetit historik polak nuk e fusin kurrë në furrë, pa e kontrolluar më parë nëse është në formën e duhur për pjekje.
“Karafilët e ruajnë brumin duke i lejuar të zhvillojë shijen e tij të veçantë me kalimin e kohës. Në të hidhen gjithashtu edhe kanellë, xhinxhëfill e piper. Ashtu si vera e mirë, edhe keku me xhinxhëfill duhet të kalojë nëpër një proces të gjatë, i cili kërkon shumë njohuri”, tha Jakub Kopczynski, zëdhënës i fabrikës.
Kjo fabrikë e ruan fort sekretin e përzierjes së erëzave, që prej çeljes në vitin 1763, e ndonëse jep disa informacione, nuk i thotë asnjëherë të gjitha. Vetëm 6 prej furrtarëve të saj i dinë saktësisht masat dhe llojet e erëzave që përdoren për këtë ëmbëlsirë të veçantë.
Prodhuesit nuk kujdesen vetëm për përbërjen e saj, por edhe anën estetike, duke i dhënë forma nga më të ndryshmet, përfshirë atë të patkoit të kalit për fat.
Top Channel