Analisti Neritan Sejamini, i ftuar në emisionin “Open” nga Eni Vasili dha mendimin e tij mbi mbledhjen e Kryesisë së PS-së këtë të hënë, në prag të festave të fundvitit.
Sipas tij, kjo ishte thjesht një mbledhje rutinë, që nuk ka për të sjellë ndonjë ndryshim domethënës.
“Unë shoh diçka, sot Edi Rama është kryeministër, qeveria e tij është në pushtet. Edhe nesër apo në muajt në vijim Edi Rama do të vazhdojë të jetë kryeministër, e qeveria e tij do të jetë në pushtet. Pak rëndësi ka nëse ikën apo jo një ministër apo një tjetër, problematika është aty dhe do të mbetet. Ende nuk kemi rezultate mbi shkeljet që janë bërë me tenderin e Unazës së re, sikurse për studentët nuk kemi një zgjidhje përfundimtare, ndërsa ata kanë njoftuar se do të rikthehen në protesta në muajin janar”, tha Sejamini.
Duke diskutuar për problemet e studentëve, Spiropali u shpreh se në mbledhjen e kësaj të hëne është diskutuar edhe në lidhje me paktin për universitetin që qeveria ka publikuar dhe pret kontributin e studentëve.
Salianji ndërhyri duke hedhur poshtë mundësinë e zgjidhjes nga qeveria aktuale e Ramës, e duke thënë se opozita ka një plan alternativ për të zgjidhur problemet e studentëve, ndërkohë që në replikat në vijim me Elisa Spiropalin, ata u përplasën mbi pranimin ose jo të opozitës në protestat studentore.
Spiropali theksoi për të disatën herë se opozita ishte përzënë nga protesta, pasi studentët vërtet kanë probleme dhe vërtet i dhanë një shuplakë qeverisë, por ata ende shpresojnë të gjejnë zgjidhje nga kjo qeveri, e jo përmes ndërrimit të pushteteve.
Arjan Curi, në rolin e analistit por edhe si pedagog në UET, tha se opozita e vërtetë ndaj kësaj qeverie është pikërisht ajo që shohim në shesh, duke iu referuar studentëve.
“PS mund të vetëqeveriset si të dojë. Mendoj se duhet të ketë ndryshime në qeveri. Vendi që qeveriset me politika të majta, edhe mund ta ndryshojë kryeministrin. Dua të theksoj se opozita e vërtetë është në shesh, janë ata studentë. Kjo është risia që pashë këtë vit. Sa i përket ligjit të Arsimit të Lartë, ka rektorë e dekanë përgjegjës. Në lidhje me ligjin, 50 pedagogë të Shkencave Sociale dhe 51 të Filologjikut kanë firmosur kundër ligjit. Janë dy fakultete të rëndësishme, e në janar ky reagim do të jetë zinxhir. Kemi 101 pedagogë që firmosin për aprovim të ligjit për Arsimin e Lartë”, tha Curi.
Top Channel