Teuta dhe Laçi janë ndarë në barazim 1-1, në sfidën e fundit të tyre për vitin 2018, të zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana” të qytetit të Durrësit.

Në një 90-minutësh mjaft të luftuar dhe spektakolar, kurbinasit gjetën avantazhin në pjesën e parë me anë të shkodranit Shtubina, në një rast të dyshimtë pozicioni jashtë loje.

Gjithsesi vendasit nuk mund të pajtoheshin gjithsesi me atë rezultat dhe pas shumë mundësish, rikthyen baraspeshën në minutën e 87′, pas golit të shënuar nga “ish-i” Sherif Kallaku.

Minutat shtesë sollën disa mundësi shënimi për durrsakët e Blendi Shkëmbit, por topi nuk përfundoi në rrjetën e portës së mbrojtur nga Selmani dhe rezultati mbeti i pandryshuar.

Me këtë barazim, Teuta çoi në 11 numrin e ndeshjeve pa humbje dhe e mbyll vitin në kuotën e 33 pikëve, me vendin e dytë që i rrezikohet nga Kukësi, ndërsa Laçi mbetet në vendin e pestë me 30 pikë.

Top Channel