Edicioni i Turit të Spanjës për vitin 2019 do të jetë shumë sfidues për çiklistët që do të marrin pjesë në të, e kjo për faktin se do të ketë një sërë etapash malore gjatë tij.

Në Madrid është prezantuar itinerari i këtij kompeticioni, që do të nisë në Torrevieja pranë Alicantes më 24 gusht, e që do të përfundojë pikërisht në kryeqytetin spanjoll, me çiklistët që në total do të përshkojnë 3.272 km.

Gjatë Turit të Spanjës, çiklistët do të masin veten në 59 ngjitje, 13 më shumë sesa në edicionin e 2018-s, ku në fund ai që triumfoi ishte Simon Yates. “La Vuelta” e vitit të ardhshëm do të nisë me etapën kronometër ekipor prej 18 km.

Etapa e dytë, që do të jetë e karakterit malor, është ajo që nis në Benidorm e që përfundon në Calpe. Gjatë kësaj etape, çiklistët do të ngjisin majën “Pico del buitre”, që kap distancën e 11.8 km. Etapa e 10 do të jetë kronometër individual dhe çiklistët do të kalojnë përmes territorit francez, ndërkohë që ajo e 16 është me karakter fushor, prej 155 km.

Ndërkohë, organizatorët e Turit të Spanjës konfirmuan se në vitin 2020, ky kompeticion do të nisë në Utrecht të Holandës, gjë që nuk ndodhte që nga viti 2009, kur “La Vuelta” nisi në Assen. Në këtë pikë, Utrechti do të bëhet i pari qytet që pret 3 turet e mëdhenj çiklistikë. Në vitin 2015, në këtë qytet kaloi Turi i Francës, ndërsa në vitin 2010 u organizua Xhiroja e Italisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA