Si u prit largimi i James Mattis nga posti i Sekretarit të Mbrojtjes?

21/12/2018 19:14

Ligjvënës republikanë e demokratë në Shtetet e Bashkuara janë shqetësuar nga lajmi i papritur i largimit të Sekretarit të Mbrojtjes, James Mattis, i parë gjerësisht si një prej anëtarëve më të respektuar të kabinetit të Donald Trumpit.

Konfirmimi i tij nga Senati u bë me votë thuajse unanime, në të njëjtën ditë me betimin e Trumpit. Në letrën e tij të dorëheqjes, gjenerali me 4 yje u kujdes të tregonte qartë dallimin mes vetes dhe presidentit.

“I qëndroj bindjes time për trajtimin e aleatëve me respekt, e për të qenë syhapur ndaj aktorëve malinjë dhe konkurrentëve strategjikë. Sepse ju keni të drejtë të keni një Sekretar Mbrojtjeje, pikëpamjet e të cilit të përputhen më shumë me tuajat. Për këto dhe çështje të tjera, besoj se do të ishte më mirë për mua të tërhiqem nga posti që mbaj”, ka shkruar ai.

Vet Trumpi ishte shprehur se Mattis po dilte në pension, por letra e tij tregoi qartë se po dorëhqiet. Largimi i shefit të Pentagonit vjen një ditë pasi presidenti njoftoi se trupat amerikane do të largohen nga Siria, vendim ky të cilin Departamenti i Mbrojtjes e ka kundërshtuar.

Kreu i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell reagoi duke thënë se ishte dakord me shumë nga kritikat e Mattis ndaj politikës së jashtme të Trumpit. Të tjerë senatorë ndoqën të njëjtën linjë.

Letra e Mattis për Marco Rubion, e bënte më se të qartë se po shkohet drejt një serie gabimesh të rënda të politikave, gabime këto që – siç thotë ai, – do të rrezikojnë kombin amerikan, do të dëmtojnë aleancat e tij, e do të fuqizojnë kundërshtarët.

Demokratët ishin edhe më të alarmuar. Senatori Mark Warner shkroi në Twitter se largimi i Mattis ishte frikësues dhe se ai vet kishte qenë një ishull stabiliteti në mesin e kaosit të administratës “Trump”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA