Shkarkimi i Jose Mourinhos nga Manchester United vazhdon të jetë lajmi i ditës në medien britanike. Së fundi, tabloidët e vendit ishullor zbuluan prapaskenat e këtij shkarkimi, duke theksuar se ishin futbollistët ata që ndikuan në vendimin e drejtuesve të “djajve të kuq” për trajnerin portugez.

Ajo që ka folur më konkretisht në lidhje me këtë çështje është pikërisht “Daily Mirror”, nëpërmjet një artikulli ekskluziv të saj ku theksohej se, të paktën 4 futbollistë kishin kërcënuar shefin ekzekutiv të Manchester United, Ed Woodward, duke i thënë se do të largoheshin në merkaton e muajit janar nëse Mourinho do të qëndronte.

Në këtë pikë, për të evituar “eksodin” e futbollistëve, Woodward mori vendimin ditën e martë për të larguar teknikun 55-vjeçar.

Problemet në dhomat e zhveshjes së Manchester United ekzistonin prej kohësh, e në muajt e fundit lojtarët më me ndikim në skuadër ishin ankuar te padronët e klubit anglez, për trajtimin që Mourinho i rezervonte Luke Shaw, Anthony Martial dhe Eric Bailly.

Edhe vetë Woodward shfaqi pakënaqësitë e tij për sjelljen e Mourinhos, pasi ky i fundit thuajse nuk e aktivizoi fare mesfushorin Fred, për të cilin Manchester United pagoi 60 milionë euro.

Top Channel