Qeveria ka përgatitur një projektvendim që ndryshon buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm duke dyfishuar fondet për arsimin universitar dhe kërkimin shkencor.
Projektvendimi është pjesë e Paktit për Universitetin, pikat e të cilit kryeministri Edi Rama i ka publikuar në portalin Shqipëria që duam për të pritur sugjerimet e studentëve.
Sipas tabelave zyrtare, në buxhetin e vitit të ardhshëm qeveria ka përcaktuar 7.4 miliardë lekë për arsimin e lartë. Por, projektvendimi i ri e çon këtë shifër në 14.9 miliardë lekë, pra dy herë më shumë.
E njëjta masë rritje parashikohet edhe për fondet për shkencën, të cilat nga 620 milionë lekë që janë parashikuar në buxhetin e miratuar ndryshohen në 1.2 miliardë lekë.
Paralelisht, vec rritjes së shpenzimeve për universitetin, në projektakt parashikohet edhe një fond emergjence me vlerë 5 miliardë lekë, i cili do të përdoret për përmirësimin e konvikteve dhe infrastrukturës universitare në të gjithë Shqipërinë. Në total të tre ndryshimet e rrisin financimin publik për arsimin e lartë dhe infrastrukturën universitare me 13.1 miliardë lekë ose mbi 100 milionë euro krahasuar me buxhetin e miratuar.
Megjithatë këto masa janë ende në stad propozimesh, të cilat qeveria ka premtuar ti miratojë vetëm pasi studentët të pranojnë dialogun. Vetë kryeministri Edi Rama i ka bërë thirrje disa herë studentëve në protestë të ulen në dialog me qeverinë, për t’i hapur rrugë ndryshimet ligjore për plotësimin e kërkesave. Por kjo thirrje është refuzuar nga studentët, të cilët nuk pranojnë dialog, por i kërkojnë qeverisë që të miratojë kërkesat e tyre, në të kundërt protestat do të vazhdojnë.
Top Channel