Një vit pas “pavarësisë”, protesta në Barcelonë kundër qeverisë “madrilene”

21/12/2018 19:22

Demonstruesit janë përleshur me policinë në Barcelonë, gjatë protestës së organizuar kundër vendimit të qeverisë spanjolle për të mbajtur një mbledhje kabineti në kryeqytetin katalanas, në përvjetorin e parë të zgjedhjeve të parakohshme, të cilat u zhvilluan pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë.

Pjesë të qytetit u paralizuan, ndërsa në disa zona të tjera të Katalonjës janë bllokuar 20 rrugë. Me dhjetëra demonstrues u ulën në autostradën “AP7”, që kalon pranë bregut, ndërsa forcat speciale u dërguan t’i lëviznin me forcë prej andej. Disa mbanin jelekë të ngjashëm me ato të aktivistëve francezë, ndërsa e verdha njehsohet edhe me lëvizjen katalanase për shkëputje.

Mijëra policë kishin krijuar kordonë të gjatë përpara ndertesës së vjetër të bursës, ku po zhvillohej takimi i ministrave. Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez deklaroi se ishte vendosur që mbledhja të zhvillohej në Barcelonë, për të treguar se ky ekzekutiv i shërben të gjithë qytetarëve të Spanjës.

Pas takimit, qeveria njoftoi se aeroportit “El Prat” të qytetit do t’i ndryshohet emri në “Josep Tarradellas”, politikani që drejtoi qeverinë katalanase në mërgim gjatë diktaturës së Frankos. Por, ky vendim nuk u mirëprit nga lidershipi aktual katalanas, i cili tha se nuk ishte konsultuar për një lëvizje të tillë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA