Java e 18 e Kategorisë Superiore dhe ajo që do të ulë siparin e gjysmës së parë të kampionatit nis këtë të premte me dy sfida shumë interesante, në dy orare të ndryshme.
Në Kamëz, vendasit presin Skënderbeun në orën 13:30, ndërkohë që në “Selman Stërmasi”, Tirana e etur për pikë do të sfidojë Flamurtarin.
Duhej të ishte një nga ndeshjet më të rëndësishme të këtij kampionati, por Tirana-Flamurtari i japin jetë 90-minutëshit të fundit për vitin 2018, falë emrit dhe historisë. Bardheblutë janë totalisht jashtë objektivave dhe tashmë duhet të mendojnë seriozisht per të shmangur katastrofën, pasi një rikthim në Kategorinë e Parë do të ishte i tepërt.
Ndërkohë, skuadra vlonjate nuk ka mundur asnjëherë në këtë sezon të arrijë dy fitore radhazi, e për këtë arsye, ndaj bardhebluve sot presin të bëjnë “tris” për ta mbyllur vitin sa më mirë.
Në Kamëz, Skënderbeut i është kthyer në një detyrim edhe më të madh fitorja përballë vendasve. Pakkush e mendonte në fillim të kampionatit gjendjen aktuale, aq më tepër pas fillimit të sezonit nga ana e korçarëve, që u duk se edhe këtë vit kishin një marsh më shumë se të tjerët.
Por, rezultatet e javëve të fundit, fakti që nuk fitojnë prej 4 javësh, gjatë të cilave kanë 3 humbje radhazi dhe kanë rrëshkitur në vendin e katërt, e bën tashmë suksesin ndaj Kamzës, të vetmin rezultat që kërkohet prej tyre.
Megjithatë, edhe për kamzalinjtë do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme në synimet që kanë për të mos mbetur në zonën e ftohtë të klasifikimit.
Top Channel