Me shumicë votash, Këshilli Bashkiak i Durrësit miratoi mbrëmjen e së enjtes buxhetin për vitin 2019.
Për të plotësuar kuorumin e nevojshëm të votave, së majtës iu bashkua dhe vota pro e këshilltarëve të LSI-së, ndërsa këshilltarët e Partisë Demokratike e bojkotuan mbledhjen.
Por, sa pranë nevojave të komunitetit është ky buxhet? Shkëlqim Fortuzi, pedagog i Fakultetit të Biznesit dhe specialist i fushës së tatim-taksave, njëkohësisht këshilltar bashkiak, shprehet kundër këtij buxheti dhe rendit disa nga problemet më të mprehta të tij: investime të pamenduara, shërbime të pakta për qytetarët dhe klientelizëm i theksuar.
Edhe pse bashkia nr.2 në vend dhe me një përqëndrim të lartë biznesesh në territorin e saj, vihet re një vlerë e ulët e të ardhurave të siguruara nga tatimet dhe taksat. Sipas Fortuzit, kjo është një dëshmi e hapur e klientelizmit, po që do t’i kushtojë buxhetit dhe qytetarëve të tij afro 4 milionë euro, të cilat mungojnë në buxhet.
Shpërndarja e investimeve është një tjetër problematikë e këtij buxheti, sipas specialistëve, një shpërndarje që përqëndrohet në investime të padobishme, ndërsa lë jashtë vëmendjes, deri në diskriminim, zhvillimin në komunitetet e zonave rurale të Sukthit, Manzës, Ishmit, Katundit të Ri dhe Rrashbullit.
Top Channel