Aeroportet më të mëdha të Gjermanisë janë vënë në gatishmëri maksimale, pasi 4 persona të dyshuar terroristë u vunë re jashtë aeroportit të Shtutgartit.
Policia thotë se është vënë në ndjekje të një djali dhe babait të tij nga North Rhine-Westphalia, si dhe dy persona të tjerë që po bënin fotografi nga terminalet dhe pista e aeroportit.
Detajet rreth të dyshuarve iu kaluan policisë gjermane nga shërbimi informativ i Marokut, sipas raportimeve të medieve gjermane.
Alarmi vjen vetëm një javë pas një sulmi terrorist të ndodhur përgjatë kufirit në Francë. Tri persona mbetën të vdekur nga Cherif Chekatt, pranë tregut të Krishtlindjes në Strasburg, i cili është vetëm 150 km larg nga Shtutgarti.
Policia tha për rrjetin publik gjerman “ARD” se forcat e sigurisë janë vënë në alarm maksimal në aeroportet gjermane, ndërsa faqja e internetit e “BILD”-it njofton se paralajmërimet janë zgjeruar tashmë në 14 portat kryesore hyrëse në vend.
Që prej sulmit në Strasburg, aktivitete të dyshimta janë pikasur në Aeroportin e Shtutgartit dhe atë “Charles de Gaulle” në Paris, sipas rrjetit publik “SWR”.
At e bir u pikasën nga kamerat e sigurisë duke shkrepur foto përreth aeroportit, por janë zhdukur menjëherë sapo policia mbërriti për t’i kapur. Emrat e të dyshuarve dhe detajet mbi komunikimet e tyre raportohen të kenë ardhur nga zyrtarë të kundërzbulimit në Marok.
Gjermania u shënjestrua edhe më herët në vitin 2016 nga një sulm terrorist në një treg Krishtlindjeje, kur xhihadisti nga Tunizia, Anis Amri përplasi një furgon në tregun e mbipopulluar të Krishtlindjes në Berlin, duke vrarë 12 vetë e plagosur dhjetëra të tjerë.
Top Channel