Gazeta gjermane “Der Spiegel” tha se ka pushuar nga puna gazetarin e saj, Claas Relotius, i shpërblyer me disa çmime, pasi ka zbuluar se ai ka shpikur fakte për shumë artikuj në vitet e fundit.
“E vërteta dhe gënjeshtra janë të ngatërruara në tekstet e tij”, tha “Der Spiegel”. Disa prej rreth 60 artikujve që Relotius i ka shkruar që nga viti 2011 janë të saktë, por të tjerët janë “krejtësisht të shpikur ose të zbukuruar me citime të manipuluara ose fantazi”, tha gazeta.
Nga artikujt e fabrikuar, njëri ka të bëjë me një të burgosur të Guantanamos, ndërsa një tjetër me fëmijët e rrëmbyer nga grupi militant Shteti Islamik. “Der Spiegel” tha se Relotius, 33 vjeç, e ka pranuar se i ka mashtruar lexuesit me rreth 14 artikuj. Vetë gazetari nuk ka bërë ende komente publike.
Ai ka marrë një numër çmimesh, përfshirë atë të CNN si gazetari i vitit në 2014, çmimin evropian të shtypit në 2017 dhe çmimin reporteri i vitit në Gjermani në 2013, 2015, 2016 dhe më herët këtë muaj.
Zbulimi i tij u bë nga një prej kolegëve që kishte punuar me të muajin e shkuar për një artikull në lidhje mbi kufirin SHBA-Meksikë. Kolegu kishte ngritur alarmin dhe gazeta kishte bërë më pas verifikimet e veta.
Top Channel