Federata Shqiptare e Futbollit dhe presidenti i saj Armand Duka e kanë lënë në mes procesin gjyqësor, që vet kishin hapur ndaj deputetit socialist Erion Braçe, të cilin e akuzonin për shpifje të kryer botërisht.

Në seancën e kësaj të mërkure, në seancë nuk u paraqit asnjë përfaqësues nga Federata e Futbollit, ndërsa deputeti Braçe ishte i vetëm në këtë seancë.

Gjyqtari Arben Micko, pasi konstatoi se pala paditëse nuk ishte paraqitur, vendosi pushimin e menjëhershëm të gjykimit, ndërsa relatoi se një seancë më parë, përfaqësues të federatës i kishin komunikuar se do të tërhiqeshin nga denoncimi, pasi e kishin zgjidhur çështjen me marrëveshje.

Por, një pohim i tillë është kundërshtuar nga deputeti Braçe, i cili deklaroi se nuk bën kompromis me mendimet e tij.

“Unë nuk kam asnjë lloj komunikimi me ata. Komunikimi ynë është vetëm me Facebook, por unë nuk bëj kompromis me mendimet e mia. Me presidentin e Federatës nuk kam komunikim, vetëm në Facebook komunikojmë”, tha Erion Braçe, deputet i PS.

Në fund, Braçe ka edhe një apel për garën e sportit që e dashuron më shumë.

“E rëndësishme është që ajo gara, që ne shikojmë të premten, të shtunën dhe të dielën, të jetë sa më reale dhe unë e ata mijëra njerëz të tjerë që e ndjekin, të dalin të bindur që ishte një garë e drejtë”, tha Braçe.

Top Channel