Presidenti i SHBA Donald Trump duket se po heq dorë nga kërcënimi për të detyruar një mbyllje të pjesshme të qeverisë federale.
ëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders tha se ka “mënyra të tjera” për të siguruar 5 miliardë dollarë për ndërtimin e një muri përgjatë kufirit jugor të SHBA, që është fokusi i mosmarrëveshjeve.
“Në fund të ditës, ne nuk duam të mbyllim qeverinë,” tha zonja Sanders për Fox News. “Ne duam të mbyllim kufirin për të mos lejuar imigracionin e paligjshëm”.
Por demokratët menjëherë e hodhën poshtë ofertën, duke i lënë të dyja palët pa një zgjidhje, ndërkohë që qindra mijëra punonjës të qeverisë janë në pritje për të mësuar nëse do të dërgohen në shtëpi pa u paguar në prag të Krishtlindjeve.
Zonja Sanders përmendi legjislacionin ekzistues, sidomos projektligjin e Senatit për financimin e Departamentit të Sigurisë Kombëtare, i cili parashikon 26 miliardë dollarë shpenzime, duke përfshirë 1.6 miliardë për barrierat kufitare.
Ajo tha se ky projektligj është “diçka që ne mund ta mbështesim” për sa kohë që i bashkëngjitet propozimeve të tjera financiare për mbrojtjen dhe sigurinë kufitare.
Para komenteve të zonjës Sanders, Shtëpia e Bardhë kishte dhënë pak shenja përparimi për zgjidhjen e situatës së bllokuar mbi shpenzimet buxhetore, gjë që mund të shkaktonte një mbyllje të pjesshme të qeverisë në mesnatën e së premtes.
Në qendër të mosmarrëveshjes është këmbëngulja e Presidentit Trump që Kongresi të miratojë 5 miliardë dollarë shpenzime për murin e propozuar prej tij përgjatë kufirit SHBA-Meksikë. Demokratët dhe disa republikanë e kundërshtojnë planin, ndërsa udhëheqësit demokratë kanë ofruar 1.3 miliardë dollarë për financime të tjera për sigurinë kufitare.
Zoti Trump përdori Twitterin të hënën për të sulmuar demokratët pasi të dy palët nuk mundën t’i afrojnë pozicionet e tyre.
Megjithatë, për të shmangur një mbyllje të agjencive qeveritare të premten, demokratët dhe republikanët mund të arrijnë një marrëveshje rreth një plani shpenzimesh për të financuar operacionet e qeverisë deri në fund të këtij viti dhe për disa muaj të vitit 2019.
Shpenzimet për tre të katërtat e agjencive qeveritare tashmë janë miratuar deri në shtatorin e ardhshëm, por faturat e mbetura përfshijnë fondet për Departamentin e Sigurisë Kombëtare, Departamentin e Shtetit, Departamentin e Drejtësisë dhe Departamentin e Territorit për vitin 2019.
Top Channel