Shëndetësia është një barrë e rëndë për familjet shqiptare, të cilat për shkak të buxhetit të ulët publik, detyrohen që t’i financojnë nga xhepi i tyre pjesën më të madhe të shpenzimeve për kurim.
Të dhënat më të fundit zyrtare nga Banka Botërore, të cilat i përkasin vitit 2015, tregojnë se rreth 57 për qind e shpenzimeve shëndetësore në Shqipëri paguhen drejtpërdrejt nga xhepi i familjeve, ndërsa buxheti i shtetit mbulon vetëm 43 për qind.
Kjo e bën Shqipërinë vendin me pagesat më të larta nga xhepi për shërbimet shëndetësore në të gjithë Ballkanin, me diferencë të theksuar me vendet e tjera. Në Serbi, pesha e shpenzimeve që familjet bëjnë nga xhepi i tyre për kurim është 40 për qind, ndërsa në Maqedoni, Bosnje-Hercegovinë dhe Mal të Zi, shifra është më e ulët sesa 35 për qind.
Qeveria shqiptare shpenzon mesatarisht 45 miliardë lekë në vit për sistemin shëndetësor, ose 2.9 për qind e prodhimit kombëtar. Kjo bën familjet të financojnë nga xhepi i tyre plot 60 miliardë lekë të tjera, ose rreth 480 milionë euro në vit.
Këto janë pagesa që mbulojnë të gjitha shpenzimet shëndetësore, përfshirë ndërhyrjet e kushtueshme, vizitat apo dhe blerjen e barnave. Inovacionet në shëndetësi, por edhe rritja e sëmundshmërisë bën që shpenzimet totale të popullsisë për kurim të vijnë në rritje, nga viti në vit.
Por, pamundësia e buxhetit për të financuar këtë rritje të kostove, bën që barra t’u kalojë drejtpërdrejt familjeve. Viti 2015 ishte viti i parë kur hynë në fuqi koncesionet për disa shërbime shëndetësore, të cilat edhe pse kryhen nga kompani private, paguhen nga buxheti i shtetit.
Por, ofrimi i këtyre shërbimeve përmes koncesioneve nuk e ka ulur barrën e shpenzimeve që familjet bëjnë për kurim. Përkundrazi e ka rritur atë. Sipas Bankës Botërore, krahasuar me vitin 2014, pesha e shpenzimeve nga xhepi për kurim u rrit me 1 për qind, nga 56 për qind që ishte, në 57 për qind.
Top Channel