Presidenti kinez Xi Jinping ka premtuar se vendi i tij nuk do të zhvillohet në kurriz të vendeve të tjera, në një fjalim me rastin e 40-vjetorit të reformave të mëdha ekonomike në Kinë.
Sidoqoftë, ai tha se superfuqia globale nuk do të pranojë të tërhiqet për hunde nga askush. Fushata e liderit të ndjerë kinez, Deng Xiaoping, për reforma dhe hapje, nisi katër dekada më parë. Rritja ekonomike që pasoi e bëri Kinën ekonominë e dytë më të madhe në botë.
Xi Jinping tha se, pavarësisht rritjes, Kina nuk do të kërkojë kurrë hegjemoni globale dhe po ashtu vuri në dukje kontributet e saj për një të ardhme të përbashkët për njerëzimin. Kritikët thonë se Kina vazhdon të përndjekë disidentët politikë dhe ka një qëndrim të ashpër ndaj çdo destabiliteti etnik apo social. Po ashtu, në vitet në vijim, vendi është përballur me borxhe në rritje dhe me ngadalësim të rritjes ekonomike.
Në pjesën më të madhe të fjalimit të tij, Xi Jinping renditi shembuj të progresit të Kinës në dekadat e shkuara, duke i cilësuar ato arritje epike: “Falë këtij suksesi askush nuk është në pozitën që t’i diktojë Kinës çfarë duhet të bëjë dhe çfarë jo”.
Në të njëjtën kohë, ai nënvizoi përpjekjet e Kinës për të punuar në të mirën e njerëzimit duke thënë se Pekini ishte një promotor i paqes në botë dhe mbrojtës i rendit ndërkombëtar dhe ka një rol lider në trajtimin e ndryshimeve klimaterike.
Top Channel