Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, me kërkesë të Serbisë, diskutoi mbi vendimin e Parlamentit të Kosovës për shndërrimin e FSK në ushtrinë e ardhshme të vendit.

Vendimi që u mbështet nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Gjermania, u kundërshtua nga NATO dhe BE, që vlerësuan se nuk ishte koha e përshtatshme për një gjë të tillë. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç shprehu indinjatën mbi votimin e Parlamentit të Kosovës, duke e quajtur veprim që rrezikon qëndrueshmërinë e gjithë rajonit.

“Serbia po përballet me gjithnjë e më shumë vështirësi në Kosovë dhe jam shumë i shqetësuar, e madje i frikësuar jo vetëm për popullin tim dhe Serbinë, por edhe rajonin”, u shpreh Vuçiç.

Sipas tij, Ushtria e Kosovës është në kundërshtim me rezolutën 1244 të KS të OKB dhe madje edhe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, që Serbia nuk e njeh.

Por, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Ushtria e Kosovës do të jetë kontribuese e qëndrueshmërisë në rajon dhe se vendimi për ushtrinë është i pakthyeshëm.

“Asgjë e jashtëzakonshme s’ka ndodhur në Kosovë javën e kaluar. Në fakt, ajo që ndodhi ishte vendim krejt normal, i drejtë, me mision dhe qëllim. Nëse Kosova ka bërë gabim është sepse ka pritur pesë vite pa nevojë për themelimin e ushtrisë. Vendimi për ushtrinë është i vonuar e asesi i gabuar. Është i vonuar sepse kemi pritur vullnet të mirë nga ata që deri më tani nuk e treguan në raport me shtetin e Kosovës. Por, tani Republika e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur ka marrë veprim të hapur për ushtrinë. Ç’ka ka të jashtëzakonshme këtu? Asgjë”, tha Presidenti i Kosovës.

Kërcënimi i vetëm për rajonin, sipas Thaçit, “janë thirrjet irracionale për konflikt dhe luftë nga fqinji verior: “Si President dhe komandant suprem them se ushtria sjell më shumë paqe dhe stabilitet. Ky hap nuk është mesazh kundër askujt. Ushtria e Kosovës nuk është dhe s’do të jetë kërcënim ndaj askujt. Është dhe do të mbetet profesionale e shumetnike”.

Thaçi tha se themelimi i ushtrisë nuk ka si qëllim dublimin e misionit të NATO-s në Kosovë, i cili vazhdon të kujdeset për sigurinë që nga hyrja e tij në Kosovë në vitin 1999.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA