Votimi i shtyrë në Dhomën e Komunëve në Britani do të mbahet duke nisur nga 14 janari, njoftoi kryeministrja Theresa May.
Ligjvënësit duhej ta kishin votuar marrëveshjen e arritur prej saj me Bashkimin Europian që javën e kaluar, por shefja e ekzekutivit vendosi ta pezullonte, kur pa se gjasat e humbjes ishin të mëdha.
Ndërsa njoftonte datën e re, May u kujdes të theksojë se çështja e kufirit irlandez, e cila i bën të ngurrojnë shumë prej deputetëve britanikë, nuk është një komplot për ta zënë Britaninë në çark.
Laburistët e kërcënuan kryeministren me votëbesim, nëse nuk caktonte një datë sa më shpejt. Lideri i tyre, Jeremy Corbyn tha se, May e çoi vendin drejt një krize kombëtare dhe se ajo nuk e gëzon më mbështetjen e kabinetit.
“Marreveshja është e pandryshuar dhe kështu do të vazhdojë të mbetet”, deklaroi Corbyn. “Dhoma e Komunëve, – shtoi lideri opozitar, – duhet ta kryejë votimin e më pas të lëvizë për të parë alternativa më realiste”.
May e përjashton ndërkohë mundësinë e mbajtjes së një referendumi të dytë, me argumentin se një votim tjetër do t’i shkaktonte dëme të pariparueshme integritetit të politikave britanike dhe nuk do ta zgjidhte problemin.
Top Channel