Futet në minutën e 70-të në lojë, realizon dygolësh për 10 minuta në fushë dhe bën të çmendet “Anfield Road”. Xherdan Shaqiri fenomenal në sfidën ndaj Manchester United, golat e tij u dhanë fitoren 3-1 të kuqve në shtëpi, duke rikthyer skuadrën e Jurgen Klopp në vendin e parë në Premier League me 45 pikë, 1 më shumë se Manchester City.
Por çfarë ndodhi në këtë sfidë, një nga më të pabesueshmet në karrierën e futbollistit të lindur në Gjilan?
Liverpooli kaloi në epërsi që në minutën e 25-të me Sadio Mane, por Jessie Lingard përfitoi nga një pasiguri e portierit brazilian Alisson, duke kthyer baraspeshën në rezultat në minutën e 33-të.
Vendësit nuk po arrinin ta çanin mbrojtjen e “Djajve të Kuq”, por zgjidhjen Klopp e kishte në stol, pikërisht Xherdan Shaqirin, që sapo zbret në fushë, i jep një tjetër marsh lojës sulmuese të skuadrës së tij.
Në minutën e 73-të goditi saktë brenda zonës në një pozicion të volitshëm, me topin që goditi shtyllë e përfundoi në rrjetë, ndërsa në minutën e 80-të, realizoi të dytin me një tjetër goditje të kalibruar thuajse nga vija e 16 metrave.
Kaq mjaftoi që Liverpooli të merrte një fitore shumë të rëndësishme me protagonist absolut Xherdan Shaqirin, “asin nën mëngë” të Jurgen Klopp, i hedhur në fushë në momentin e duhur për t’i dhënë një mësim të mirë Jose Mourinhos.
Top Channel