Presidenti rus Vladimir Putin tha të shtunën se Kremlini duhet të luajë një rol udhëheqës në muzikën Rap të Rusisë dhe në kulturën rinore, në vend që të përpiqet ta mbyllë atë.
Komentet e tij pasojnë një vorbull të ndalimit të koncerteve nga pronarët e lokaleve dhe autoritetet lokale në të gjithë Rusinë, dhe arrestimin për pak ditë të një artisti të përhapur popullor, Husky. Goditja ka nxitur diskutime të konsiderueshme në muajt e fundit, veçanërisht në mesin e të rinjve.
Putin tha se masa të tilla të rënda shpesh ishin kundërproduktive dhe sugjeroi një qasje alternative. “Nëse është e pamundur të ndalosh diçka, duhet të marrësh përgjegjësinë”, tha ai gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë të një takimi të këshillit me këshillues mbi kulturën dhe artet.
“Si ta bëjmë këtë, si të marrim përgjegjësi dhe ta çojmë në drejtimin e duhur … Kjo është çështja më e rëndësishme,” tha ai, duke shtuar se çështja do të diskutohej më tej nga anëtarët e administratës së tij dhe ministrisë së kulturës.
Husky, i cili bën Rap në rusisht dhe këngët e të cilit kanë qenë shpeshherë kritike ndaj qeverisë, tha se koncertet e tij ishin nën presion sepse autoritetet kundërshtonin tekstet e cilësuara ofenduese.
Pasi koncerti i tij u anulua në Krasnodar, në jug të Rusisë, ai u përpoq të performonte mbi një makinë, por u arrestua për huliganizëm.
Arrestimi dhe dënimi i tij me 12 ditë burg çuan në një protestë publike dhe reperi u lirua në fillim të javës, falë ndërhyrjes së anëtarëve të administratës presidenciale, tha redaktori i transmetuesit shtetëror, Russia Today, në Twitter.
Top Channel