Portat e shtëpive tradicionale në Gjirokastër nuk janë vetëm elementë unikë të arkitekturës së banesave, por edhe përcaktuese shekullore të rendit shoqëror dhe identitetit të familjeve.

Thuajse të gjitha ato kanë përfaqësuar pika takimesh e shkëmbimesh, ndërsa disa nga portat mbajnë në dekorin e tyre simbole, data, vite e shkrime mesjetare.

Stefan Arseni, koleksionist dhe njohës i traditës, thotë se nostalgjia e qytetarëve në mërgim për qytetin, shpesh lidhet me kujtimet e tyre të fëmijërisë dhe rinisë ku elementi i portave është i pranishëm gjithnjë.

12 porta të vjetra dhe të reja, të restauruara dhe të rrënuara, janë përzgjedhur për të qenë këtë vit pjesë e një kalendari që promovon trashëgiminë kulturore në Gjirokastër. Kalendari do të jetë edhe një prej dhuratave që emigrantët do të marrin me vete për festat e fundvitit.

Prezantimi i kësaj copëze të veçantë të arkitekturës, së bashku me ritet që i kanë dhënë jetë portave si qëndisja, bisedat, pirja e kafes, sipas Stefan Arsenit është edhe një apel për mbrojtjen dhe shpëtimin e tyre.

Portat janë pjesë e trashëgimisë materiale, por edhe shpirtërore të Gjirokastrës. Si askund tjetër, thotë Arseni, portat si edhe oxhakët identifikonin dhe nderonin pozitën profesionet dhe arritjet e familjeve të vjetra. Ato ishin edhe dëshmi të prezencës shekullore në qytet.

Në tri dekada Gjirokastra ka humbur disa dhjetëra porta prej rrënimit, dhe dhjetëra të tjera prej restaurimeve e rindërtimeve që nuk kanë respektuar autenticitetin.

Top Channel