Një marshim gjigant kundër racizmit nxori me mijëra vetë në rrugët e Romës, sinjali i fundit i fortë i indinjatës që kanë shkaktuar politikat anti-emigracion të qeverisë së re populiste të Italisë.

“Dekreti i sigurisë i Ministrisë së Brendshme, vetëm sa do ta shtojë numrin e personave pa dokumente të rregullta qëndrimi në territor. Kjo do të çojë qartë në klandestinitet dhe ne jemi kundër kësaj, pasi duam që njerëzit të jenë të rregullt këtu, duam strehim për të gjithë dhe punësim”, u shpreh Kone Brahima i Koalicionit Ndërkombëtar të emigrantëve dhe punëtorëve pa dokumente.

“Këto vendimet e fundit legjislative në Itali gjenerojnë diskriminimin, ngërçet dhe vështirësitë. Ne besojmë se mund ta ndajmë ekzistencën tonë me të gjithë ata që duan një jetë dhe një botë më të mirë, pavarësisht ngjyrës së lëkurës”, u shpreh Tony Scardamaglia, demonstrues nga Palermo.

Ai që njihet si dekreti Salvini, rrëzon mbrojtjen humanitare për emigrantët të cilëve nuk u është aprovuar statusi i refugjatit, por që nuk mund të deportohen. Rreth 25% e azilkërkuesve përfitojnë nga leja humanitare dy vjeçare, e cila u lejon që përgjatë kësaj periudhe të jetojnë në qendra pritjeje e të kenë akses në programe arsimimi e të gjejnë edhe punë.

Me mijëra vetë protestuan sakaq edhe në kryeqytetin austriak Vjenë, kundër politikave të emigracionit të qeverisë vendase, ndërsa kërkuan gjithashtu reduktimin e ditës së punës. Shifra e dhënë nga autoritetet për pjesëmarrjen në protestë, ishte rreth 17 mijë, por organizatorët e marshimit e vendosin atë në 50 mijë.

Për shkak të protestës, një pjesë e qendrës së Vjenës u bllokua dhe transporti publik pati probleme. Duke sfiduar të ftohtin, tubuesit përsërisnin slogane kundër fashizmit dhe racizmit; protesta u organizuar pikërisht në një vjetorin e krijimit të koalicionit qeveritar mes konservatorëve OEVP dhe partisë së Lirisë nga ekstremi i djathtë.

Në lëvizjen më të fundit polemizuese të saj, qeveria austriake muajin e kaluar finalizoi detajet e shkurtimit të ndihmës sociale për emigrantët, një hap ky që nxiti reagimin e ashpër të aktivistëve kundër varfërisë dhe grupeve fetare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA