Theresa May insiston se objektivi i saj për të kërkuar qartësime nga Bashkimi Evropian, me qëllim që plani i saj i Brexit-it të kalojë në parlament, është ende në jetë, disa orë pasi ajo u përplas me Jean Claude Juncker.

Kryeministrja tha se ajo kishte qenë e qartë me presidentin e Komisionit Evropian dhe liderët e tjerë të enjten, në lidhje me garancitë që i nevojiten asaj mbi të ashtuquajturin “Backstop-i irlandez”.

Në një konferencë për shtyp në Bruksel, May tha se diskutimet e saj me kolegët e BE kanë treguar se qartësime dhe diskutime të mëtejshme janë në fakt të mundura dhe se do të ketë bisedime të tjera në ditët në vijim.

May pranoi të kishte pasur një debat të nxehtë me Juncker, mëngjesin e të premtes, që është fiksuar edhe në imazhe video.

“Pata një diskutim të ashpër me Jean Claude Juncker, pasi unë mendoj se ky është lloji i diskutimit që mund të ndodhë kur je në një marrëdhënie pune dhe punohet mirë bashkë”, tha May.

Britania e Madhe shpreson të sigurojë një angazhim që një marrëveshje e tregtisë së lirë do të nënshkruhet jo më vonë se një vit pasi i famshmi “backstop” të hyjë në fuqi, për të bërë të qartë se ai mund të jetë vetëm një marrëveshje e përkohshme doganash për të parandaluar një kufi të ashpër në Irlandë, edhe pse mbetet e paqartë nëse ky angazhim do të ketë apo jo forcë ligjore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA