Prej 3 nëntorit, Banka e Shqipërisë po punon pa Këshill Mbikëqyrës, duke u futur në një ngërç vendimmarrjeje.

Gjashtë prej 9 anëtarëve iu ka mbaruar mandati. Mbledhjet e programuara të Këshillit nuk janë zhvilluar.

Ndërkohë, në dy raste, më 21 nëntor dhe 7 dhjetor, guvernatori e njëkohësisht kryetar i Këshillit, së bashku me dy anëtarët e tjerë me mandat, Natasha Ahmetaj dhe Tonin Kola, janë mbledhur në takime informuese, ku janë njohur me aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.

Gjatë këtyre takimeve nuk u morën vendime. Zyra e shtyptit e Bankës së Shqipërisë thotë për Top Channel se, çështjet e planifikuara për vendimmarrje do të trajtohen në mbledhjet e ardhshme, atëherë kur Këshilli Mbikëqyrës të ketë numrin e nevojshëm të anëtarëve për zhvillimin e mbledhjeve dhe marrjen e vendimeve përkatëse.

Procedura ka ngecur në Kuvend, ku ende nuk janë zyrtarizuar kandidaturat që u takojnë grupeve parlamentare për t’i propozuar. Secila nga 3 kandidaturat e Kuvendit duhet të propozohet me firmat e të paktën 28 deputetëve.

Qeveria nga ana saj, ndërkohë, ka propozuar 3 kandiatura që do të kalojnë për votim në Parlament; ish-ministrin demokrat të Financave, Ridvan Bode; Suela Popën dhe Edlira Luçin.

Nuk jemi në situatë alarmi, por gjithsesi, mungesa e Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë nuk lejon funksionimin normal të një prej institucioneve më të rëndësishme të shtetit.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA