Hetimet për skandalin e falsifikimeve në tenderin e “Unazës së re” dhe atë të linjës Burrel-Peshkopi nuk përfshijne vetëm kompaninë mashtruese “DH Albania”, por edhe institucionet shtetërore. Burime nga Prokuroria e Tiranës kanë nisur verifikimet në rang hetimor, edhe për Autoritetin Rrugor Shqiptar, si dhe Operatorin e Transmetimit.

Sipas Prokurorisë, të dyja institucionet do të hetohen nëse kanë patur përgjegjësi për të verifikuar informacionin e falsifikuar të paraqitur nga kompania “DH Albania”. Për këtë do të merren në pyetje, veç përfaqësuesve të kompanisë, edhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në të dy tenderat, si dhe personat që janë marrë me mbledhjen dhe administrimin e dokumentacionit.

Paralelisht, Prokuroria e Tiranës ka nisur këtë të premte letërporosinë për autoritetet amerikane të Delaware-t, për të verifikuar në rrugë zyrtare dokumentacionin e paraqitur nga kompania “DH Albania”, si dhe për informacione të tjera shtesë.

Përtej hetimeve, skandali i kompanisë “Dunwell Haberman” mund të ketë patur edhe pasoja financiare.

Një burim konfidencial, por jo zyrtar brenda sektorit energjetik, i tha Top Channel se në rastin e linjës Burrel-Peshkopi, OST-ja i ka parapaguar edhe 20 për qind të vlerës së kontratës për nisjen e punimeve kompanisë “DH Albania”, pra rreth 2.2 milionë euro. Sipas tij, menjëherë pas plasjes së skandalit, këto parà janë kthyer menjëherë mbrapsh. Por, OST-ja e mohoi zyrtarisht që të ketë parapaguar 20 për qind të vlerës së kontratës në tenderin e linjës Burrel-Peshkopi.

Sipas OST-së, fatura e përpiluar nga kompania prej 2.2 milionë eurosh nuk është paguar, por është anuluar nga OST-ja, menjëherë pas publikimit të fakteve se “Dunwell Haberman” kishte falsifikuar dokumentacionin.

Top Channel nuk mundi ta verifikonte në mënyrë të pavarur, nëse OST-ja i ka paguar parà kompanisë “DH Albania”, por të gjitha këto elementë tashmë pritet të hetohen me hollësi nga Prokuroria.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA