May niset drejt Brukselit pasi i mbijetoi mocionit të mosbesimit

13/12/2018 09:46

Theresa May është nisur sërish drejt Brukselit për të marrë pjesë në samitin e BE-së, vetëm pak orë pasi i mbijetoi një mocioni mosbesimi për kreun e Partisë Konservatore. Kryeministrja është vënë në ëkrkim të angazhimeve të detyrueshme ligjore nga udhëheqësit e Bashkimit Europian mbi kufirin irlandez, një nga pengesat kyçe për deputetët britanikë që kundërshtojnë marrëveshjen e saj të “Brexit”-it.

Bashkimi Europian gjithsesi nuk ka për ta rinegociuar marrëveshjen, megjithatë mund të ketë vullnetin të japë garanci më të mëdha mbi natyrën e përkohshme të kufirit mes Republikës së Irlandës, pjesë e BE-së, dhe Irlandës së Veriut, pjesë e Mbretërisë së Bashkuar.

Kryeministrja May fitoi në mocionin ndaj saj me 200 vota pro, kundrejt 117 kundër, natën e së mërkurës. Votimi i fshehtë u mbajt si pasojë e kërkesës së 48 deputetëve të partisë së saj, të irrituar mbi politikën e saj të “Brexit”-it, që sipas tyre tradhton rezultatet e referendumit të vitit 2016.

Duke folur nga “Doëning Street” pas votimit, May u zotua t’u ofrojë njerëzve “Brexit”-in për të cilin populli votoi, por tha se i kishte dëgjuar edhe shqetësimet e deputetëve që votuan kundër saj.

Sipas kreut të liberal-demokratëve, Sir Vince Cable, “asgje nuk ka ndryshuar në realitet”, pavarësisht dramës së shkaktuar të mërkurën. Ish-udhëheqësi i konservatorëve, Iain Duncan Smith tha se tashmë është në duart e Mayt për të dëgjuar zërat brenda partisë së saj dhe të “nxisë BE-në të zgjidhë ngërçin”.

Por çfarë pritet të ndodhë në samitin e BE-së? Kryeministrja May ishte edhe më herët gjatë javës në Bruksel për t’u takuar me Kancelaren gjermane Angela Merkel, si dhe kryeministrin holandez Mark Rutte, për të diskutuar “kokë më kokë” me ta çështjet e ngritura në “Westminster” lidhur me marrëveshjen e shkëputjes.

Por, udhëtimi për t’u takuar me irlandezin Taoiseach Leo Varadkar u desh të anulohej për shkak të votimit të mocionit të mosbesimit ndaj saj.

Në samitin e kësaj të enjteje, May do të ketë mundësinë të shpjegojë të gjitha problemet, ballë për ballë me udhëheqësit e 27 vendeve të tjera anëtare të BE-së. Ata do të shqyrtojnë më pas se çfarë mund të bëhet më shumë, por pa Mayn në sallën e diskutimeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA