Konfiskim pas falsifikimit. OST nis procedurën për t’i sekuestruar 3,4 milionë euro të “DH Albania”

13/12/2018 15:29

Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Autoriteti Rrugor shqiptar kanë nisur zyrtarisht procedurat për të konfiskuar sigurimin e kontratës të kompanisë DH Albania në të dy tenderat respektivë, atë të linjës Burrel-Peshkopi dhe tenderin e Unazës së Re.

Përmes një shkrese që mban datën 11 dhjetor, Operatori i Transmetimit i është drejtuar zyrtarisht kompanive te sigurimit duke i kërkuar të konfiskojë shumën prej 144.7 milionë lekë që DH Albania ka depozituar për sigurimin e kontratës në tenderin e linjës së transmetimit Burrel-Peshkopi.

Ndërsa autoriteti rrugor i është drejtuar bashkarisht dy kompanive private te sigurimeve, pasi për shkak të vlerës më të madhe në tenderin e unazës sigurimi I ofertës prej 269.5 milionë lekësh ka qenë i ndarë në dy kompani.

Në total, garancia financiare që DH Albania ka qenë e detyruar të depozitojë për të dy tenderat është 414.2 milionë lekë ose rreth 3.4 milionë euro. OST dhe ARRSH janë të bindura se sigurimi i kontratave do të konfiskohet plotësisht, por në të kaluarën ka patur disa raste kur pas mashtrimit në tendera nuk është arritur të konfiskohet as garancia financiare si në rastin e Albpetrol.

Kontratat e lotit të parë të unazës së re dhe linjës elektrike Burrel-Peshkopi u zgjidhën në mënyrë të njëanshme nga shteti kur u publikua skandali se Dunëell Haberman, kompania mëmë e DH Albanias, kishte falsifikuar dokumentet dhe bilancet për të fituar dy tenderët me vlerë totale 30 milionë euro.

Skandali i mashtrimit ka vënë në lëvizje dhe autoritetet amerikane. Departamenti i Shtetit në Delaware ju përgjigj Top Channel se menjëherë pasi u njoh skemën e mashtrimit ja ka përcjellë të gjitha dokumentet, departamentit të drejtësisë për hetime të mëtejshme dhe tani çështja është në dorën e hetuesve amerikanë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA