Organizatorët e Çmimit të Madh të Barcelonës në Botërorin e Formula 1 kërkojnë që kjo garë të qëndrojë në kalendarin e këtij kampionati edhe pas vitit 2019.

Për këtë arsye ata kanë nisur bisedimet me drejtuesit e Liberty Media që ka në zotërim Formula 1 për zgjatjen e kontratës aktuale, që skadon në fund të vitit 2019.

Lajmi u konfirmua nga Presidenti i cirkuitit, Vicenc Aguilera.

“Jemi duke punuar për këtë çështje. Po diskutojmë dhe unë shpresoj që Formula 1 të qëndrojë në këtë cirkuit edhe për shumë vite të tjerë. Gjithsesi, nuk mund të jap detaje për negociatat”, tha Aguilera.

Ndërkaq, drejtori i këtij cirkuiti, Joan Fontsere, publikoi edhe bilancin për vitin 2018 të cirkutit dhe këtu përfshihen të gjitha garat e zhvilluara në pistën katalanase. Ajo që të bën përshtypje është se audiencën më të madhe e kishte gara e Formula 1 me 172 144 persona në tribuna, e ndjekur nga gara e Botërorit të MotoGP me 155 401 tidozë të pranishëm.

Në të njëjtën kohë, u publikua edhe kalendari i garave që do të zhvillohen në pistën e Barcelonës për vitin 2019, ku përbën risi përfshirja në të e garës së European Le Mans Series dhe garës prolog të World Endure Championship.

Top Channel