Zyrtarisht, brenda një jave, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka ardhur përgjigjja e autoriteteve amerikane se kompania Dunëell Haberman Albania, fituese e tenderit për ndërtimin e mbikalimit tek sheshi “Shqiponja” ka falsifikuar dokumentacionin me të cilin ka marrë pjesë në garë.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjitikës, Damian Gjiknuri, tha: “Për ato që kam marrë unë nga regjistrat tregtare në SHBA figuron që nuk ka pasur një pjesë të bilanceve dhe të dhënave që janë aty. Nuk ekzistojnë, pra janë prodhuar në mënyrë të falsifikuar”.
ARRSH ka anuluar kontratat 20 milionë euroshe me këtë kompani dhe dokumentacionin e ka dërguar në prokurori. E njëjta procedurë me anulim kontrate është ndjekur edhe nga OST-ja për tenderin tjetër prej 12 milionë eurosh që kjo kompani gati-gati fantazëm ka fituar për ndërtimin e linjës energjetike Burrel-Peshkopi.
Paraleisht ka nisur procedura për arkëtimet e sigurimet e ofertës, ndërkohë që, sipas ministrit Gjiknuri, hetimi i nisur në Shqipëri dhe Shtetet e Bashkuara do të nxjerrë se kush janë personat e vërtetë që fshihen pas kësaj kompanie: “Mirëpresim rezultatin e hetimeve në SHBA, pasi procesi ka filluar aty dhe jam i bindur që hetimet shumë shpejt do të nxjerrin kush janë aksionerët e vërtetë, kush e ka krijuar këtë shoqëri dhe lidhjet që kanë ata me persona të tjerë”.
Ministri thotë se çdo zyrtar do të përgjigjet nëse është i përfshirë në këtë çështje: “Patjetër që përgjegjësia politike është përgjegjësi politike, por nëqoftëse vërtetë në mënyrë sistematike veprimet e institucionit kanë çuar në dështimin në këtë që ka ndodhur, patjetër që edhe unë do të shikoj përgjegjësitë e mia, por në kushtet që jemi, me dijeninë që kam dhe me masat e marra, nuk ndjej asnjë përgjegjësi sepse kam bërë detyrën. Në momentin që kam marrë informacionin, kam reaguar”.
Tenderi për lotin e parë të Unazës së Re do të rihapet së shpejti, ndërkohë që Ministria e Infrastrukturës do të propozojë ndryshime ligjore që, sipas saj, do të rrisin standardet për verifikimin e kompanive që marrin pjesë në prokurimet publike.
Top Channel