Ballafaqimi në shesh ose tryezë dialogu duket se është i pamundur mes kryeministrit Edi Rama dhe studentëve që protestojnë kundër tarifave të larta dhe problemeve të tjera në arsim, por një përplasje ironike mes tyre po ndodh në distancë.
Studentët i kërkojnë llogari nga sheshi para Ministrisë së Arsimit, ndërsa Rama u përgjigjet në rrjetet sociale. Kështu ka ndodhur dhe sot, me kryeministrin që ka reaguar sërish, këtë herë në Instagram, duke ju përgjigjur një nga pankartave që ra në sy mes qindrave që studentët mbanin në duar.
“I duam tarifat sa Erion Braçe”, shkruante një nga studentët dhe shefi i qeverisë duke e postuar në Instagram foton e kësaj pankarte thotë se edhe deputeti i PS do është dakord për këtë kërkesë, por së pari duhet të dialogohet mes tyre.
“Asgjë nuk është e pamundur nëse bëhemi bashkë dhe për më tepër Erjon Braçja është shumë dakord. Por duhet të zgjidhni, o të dialogoni, o të kërcënoni, o me universitetin, o me politikën, e me Erjonin, o me Monikën”, shkruan Rama.
Top Channel