Shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, gjenerali John Kelly, do të lërë detyrën e tij në fund të vitit. Këtë lajm e ka njoftuar presidenti Donald Trump, duke konfirmuar kështu lajmet e fundit të nxjerra nga mediat mbi dorëheqjen e Kellyt.
Emri i pasardhësit do të njoftohet në ditët në vijim. Edhe pse Trump i ka kërkuar Kellyt vetëm në korrik të këtij viti që gjenerali të qëndrojë në detyrën e tij edhe dy vjet, kohët e fundit marrëdhëniet mes të dyve janë ftohur, në pikën që aktualisht nuk i flasin më njëri tjetrit.
I ardhur në detyrë verën e 2017-ës, duke zëvendësuar Reince Priebus, në një moment kur në Shtëpinë e Bardhë mbretëronte kaosi, si shef kabineti Kelly nisi të vepronte me grusht të hekurt, mbi të gjitha duke kufizuar aksesin e personelit në studion ovale.
Por, kohët e fundit ndikimi i tij mbi presidentin u zbeh shumë. Gjenerali nuk merrte më pjesë në mbledhjet më delikate, dhe e ka prekur mjaft shpesh kufirin e pushimit nga puna.
Kelly ka pasur tensione edhe me Melaninë, duke refuzuar disa herë promovimet e personave të stafit të Zonjës së Parë, dhe ka shprehur shpesh kritika mbi menyrat e udhëtimit të shoqëruesve të saj. Ky ka qenë edhe shkaku për të cilin Melanie i është ankuar Trump-it.
Top Channel