Një shërbim i ri dhe shumë i shpejtë është vendosur në Zyrën Vendore të regjistrimit të Pasurive të paluajtshme në Tiranë. “Fast Track”, ose Shërbimi i shpejtë për 24 orë, mundëson që qytetarët dhe bizneset të përfitojnë brenda ditës një listë me 9 shërbime, më të kërkuara dhe që zënë rreth 40% të volumit të punës në hipotekën e Tiranës.

Qytetarët dhe bizneset mund të aplikojnë për shërbimet të tilla si Kontratë shitje apo dhurimi, Rifreskim kartele dhe harte, Bllokim/zhbllokim pasurie në bankë etj., pranë dy sporteleve të dedikuara të agjencisë ADISA dhe përgjigja u shkon një ditë më pas në shtëpinë apo zyrën e tyre përmes Postës Shqiptare. Më parë afati kohor i ofrimit të këtyre shërbimeve shkonte deri në 9 ditë.

Në ceremoninë e përurimit të këtij shërbimi merrnin pjesë ministrja e Drejtësisë, znj.Etilda Gjonaj, drejtuesit e ZRPP, agjencisë së Shërbimeve Publike ADISA dhe përfaqësuesit e dhomave të tregtisë, të noterisë dhe shoqatës së ndërtuesve.

Në fjalën e saj ministrja Gjonaj tha se ky shërbim është një premtim i mbajtur ndaj grupeve të interesit, të cilat kishin parashtruar kërkesat e tyre vetëm dy muaj më parë gjatë një interpelance përmes Platformës së Bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al.

Sipas ministres megjithëse realizimi praktik i shërbimit të ri nuk ishte aspak i lehtë, për shkak të ndryshimeve strukturore dhe procedurale që duheshin kryer, me angazhimin e plotë të strukturave përkatëse u bë e mundur që ai të vihej në funksionim në kohë.

“Fast Track është një lehtësi shumë e madhe për qytetarët dhe për disa kategori të caktuara biznesi, siç janë noterët, ndërtuesit, bankat, apo përmbaruesit, të cilët do të kenë tashmë mundësinë të marrin shërbime në një kohë shumë të shkurtër dhe në të njëjtën kohë të mundësojnë edhe ato një shërbim më cilësor për klientët e tyre”, është shprehur ministrja Gjonaj.

Shërbimi i ri Fast Track është një projekt pilot, i cili brenda marsit të vitit të ardhshëm do të shtrihet edhe në Zyrat e tjera Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në të gjithë vendin.

Ministrja Gjonaj është ndalur më pas edhe në reformën e madhe të pronës që Qeveria ka ndërmarrë tashmë.

“Qëllimi është zgjidhja njëherë e mirë e problematikave të lidhura me pronën. Qeveria Shqiptare ka si synim të konsolidojë përfundimin e dhënies së titujve të pronësisë nga ligjet e posaçme dhe më pas administrimin korrekt të tyre mbi bazën e një regjistri kadastral mbarëkombëtar, që rrit sigurinë juridike një këtë fushë”, ka thënë Gjonaj.

Këtij qëllimi do t’i shërbejë edhe miratimi i dy ligjeve që janë dërguar tashmë në Kuvend “Për Kadastrën” dhe “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA