Baleti Kombëtar i Kosovës ka shfaqur premierën e shfaqjes së baletit “Osman Taka”, koreografinë, libretin dhe muzikën e së cilës e ka bërë balerini Sinan Kajtazi.
Shfaqja “Osman Taka”, vjen si inspirim nga veprimi fisnik i Osman Takës, luftëtarit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i cili pak para se të varej nga Osmanët kërkoi që ta interpretonte vallen e shpirtit të tij, gjë për të cilën edhe e dha jetën.
Autori, që debutoi me shfaqjen emocionuese dhe të veshur krejtësisht me petkun kombëtar, falënderoi gjithë ekipin e koreodramës duke theksuar se Trupa e Baletit të Kosovës është e nivelit botëror.
Shfaqja “Osman Taka”, me skena të vazhdueshme masive, ishte me emocion edhe për vet valltarët të cilët gjatë gjithë shfaqjes ishin të angazhuar me lëvizje për ta përçuar mesazhin te salla e mbushur e Teatrit Kombëtar të Kosovës.
“O. Taka” është premiera e katërt e Baletit të Kosovës për këtë vit. Ndërsa, reprizat e saj do të shfaqen nga janari i vitit të ardhshëm.
Top Channel