Të gjithë e duan Agim Krajkën, është kjo Grand Gala që ka bërë bashkë 140 artistë që do të interpretojnë majat e asaj që krijoi Mjeshtri i Madh Agim Krajka.
Agim Krajka, kompozoi dhe drejtori për mbi 30 vjet orkestrën e Ansamblit Popullor të Këngëve dhe Valleve. Përvec folklorit ai futi edhe tendencat e reja muzikore. Publiku mezi i priste këngët e tij.
“E ftoj në skenë Mjeshtrin e Madh Agim Krajkën. Ishte festivali i parë i këngës në Radio Tirana dhe Gimi ishte vetëm 25 vjeç dhe krijoi këngën e parë për këngëtaren më të shquar , më të mirë që kishte koha Vaçe Zela krijoi pikërisht këngën Lemza, më pas në festivalin tjetër në 63, përsëri Vaçe Zela këndoi këngën Djaloshi dhe Shiu, të dyja këto këngë u kënduan natën e parë dhe më pas zhdukën.po kënga Djaloshi dhe Shiu ka shumë ritme të këngës popullore të Valles së Tiranës, apo jo?”, u shpreh Zana Cela.
Për herë të parë në këtë mbrëmje të veçantë për të atin, në skenë u ngjit djali vogël i Agim Krajkës, Fatrim Krajka, me një dedikim për të.
“Vij këtu me një pjesë të re, një aranxhim për orkestra harqesh të kuartetit tim të parë që ja kam dedikuar babait”, tha Fatrim Krajka.
“Edhe Fatrimi edhe Uliksi kanë ndjekur jo shembullin tim, por punën e madhe që bëja unë për të arritur dicka”, tha Agim Krajka.
“Ka qenë një privilegj shumë i madh të rritesh nën tingujt e Krajkës.Ka qenë një shkollë e vecantë, përvec shkollimit tonë”, u shpreh Uliks Krajka.
Përveç valleve popullore nuk munguan në program as këngët ikonë të krijimtarisë së Agim Krajkës, ai ka një histori për kërkesën për arrest ndaj tij për shkak të këngës “kafe flora, burra plot.”
“Çke ndërmejt të na bësh tha, do të na shkatërrosh rininë. Më shkundi fletën e arresti. Po i thashë-ajo është pogonishtja”, tha Agim Krajka.
Ndërsa për Vallen e rexhës në skënë si soliste u ngjit Liliana Cingu.
Në fund të kësaj Grand Galaje Agim Krajka u nderua nga Presidenti i Republikës me dekoratën Nderi i Kombit. Për kontributet e çmuara në fushën e kompozimit, ekzekutimit dhe përpunimit të muzikës së lehtë dhe populloresi dhe për transmetimin e vlerave dhe kulturës sonë tek brezat e rinj.
“Pothuajse kam parë pesë kontinente dhe popull më të talentuar, popull më me fantazi krijuese se sa shqiptarët nuk kam për të gjetur kurrë”, u shpreh Agim Krajka.
Ndërsa kjo mbrëmje e madhe u mbyll ashtu siç e dëshironte Agim Krajka me “Këngët e Rinisë”.
Top Channel