Mediat që publikojnë lajme të pavërteta do të dënohen me gjobë nga 100 mijë deri në 1 milionë lekë.
Qeveria ka përgatitur të ashtuquajturën paketa antishpifje, e cila ndryshon ligjin për mediat audiovizive në Shqipëri duke vendosur sanksione për lajmet e pavërteta dhe shpifjet.
Sipas draftit, ofruesit e shërbimit audoviziv, përfshirë portalet, duhet të njoftojnë dhe të paraqesin lajmet e transmetuara në një mënyrë të vërtetë, të paanshme dhe objektive.
Po kështu këto media kanë detyrimin që të trajtojnë në mënyrë të vërtetë dhe të paanshme çështjet e debatit publik si dhe të mos cenojnë dinjitetin apo të drejtat themelore të njeriut. Në rast të shkeljes së këtyre detyrimeve atëherë mediat apo portalet do të ndëshkohen automatikisht me gjobë, e cila varjon nga 100 mijë deri në 1 milionë lekë.
Veç këtyre shkeljeve, një tjetër që do të ndëshkohet me gjobë është edhe ajo kur mediat nuk I japin të drejtën e përgjigjes personave, dinjiteti apo reputacioni i të cilëve është prekur nga publikimi I fakteve dhe informacioneve jo të saktë. Për këtë shkelje masa e gjobës do të jetë 800 mijë lekë. Në të gjitha rastet, sipas draftit, gjoba vendoset nga inspektorët e Autoritetit të Medias Audivizive dhe arkëtohet përmes shërbimit përmbarimor.
Veç gjobave ama do të ketë të drejtën, që për portalet të cilat kryejnë tre kundërvajtje administrative të parashikuara në ligj të pezullojë për 24 orë aksesin në internet. Në rast se numri I shkeljeve është më i lartë, atëherë pezullimi i aksesit në internet shkon deri në 7 ditë.
Paketa antishpifje është lajmëruar që më parë nga kryeministri Edi Rama. Veç ndëshkimit me gjobë për mediat dhe portalet që publikojnë lajme të pavërteta ajo detyron portalet të regjistrohen si dhe zbatojnë ligjet në fuqi për transmetimin e reklamave.
Top Channel