United vendos për ndryshim, Pochettino favoriti për pankinën

07/12/2018 13:20

Manchester United ka mbajtur deri më tani një linjë mbështetëse ndaj trajnerit Jose Mourinho, pavarësisht përplasjeve serioze me disa prej lojtarëve të ekipit, e pavarësisht rezultateve që janë reflektuar edhe në hierarkinë e Premier League.

Por, “Djajtë e kuq” kanë vendosur tani të ndryshojnë, duke nisur tratativat e fshehta për një prej trajnerëve më të lakmuar në elitën e futbollit anglez, Mauricio Pochettino.

Me vetëm një fitore në 5 ndeshjet e fundit në kampionat, raporti mes “Red Devils” dhe Mourinhos është inkriminuar edhe më shumë. Manchester City, skuadra e të njëjtit qytet me trajner Guardiolën, është 18 pikë larg në krye.

Pa kualifikimin në Champions League sezonin e ardhshëm, lamtumira e portugezit është e pashmangshme. Por, për të arritur te zëvendësuesi ideal do të duhen të paktën 40 milionë paund, në një skenar kompleks që përfshin klauzola dhe ndërmjetësime.

Mauricio Pochettino, që ndodhet gjithashtu në orbitën e Realit të Madridit, nuk ka qenë asnjëherë i kënaqur me drejtuesit e Tottenhamit për merkaton e keqe. Edhe pse ka rinovuar së fundmi me një pagë prej 8 milionë paund në sezon, është gati të largohet në qershor.

Nëse United nuk kualifikohet në Champions, ka një klauzolë në kontratën e Jose Mourinhos që u lejon “Djajve të kuq” të kursejnë për shkarkimin e tij, mjaftueshëm për të bindur argjentinasin Pochettino. Ky i fundit, si për ironi të fatit, në vitin 2016 refuzoi të merrte vendin e lënë bosh te Manchester United nga Louis van Gaal.

Top Channel