Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi i ka kërkuar Prokurorisë shqiptare që të nisë menjëherë hetimin për projektin e dyshimtë të Unazës së Madhe në Tiranë, projekt i cili ka nxjerrë dhe pritet të nxjerrë qindra banorë jashtë shtëpive të tyre.

Duke ju referuar rastit të njërës prej kompanive fituese të projektit, e cila ka mashtruar dhe shkelur ligjin me dokument të falsifikuara, Kryemadhi u shpreh se tashmë prokurorisë nuk i nevojiten më shumë argumente apo fakte për t’i hapur rrugën njëherë e mirë hetimit, i cili do të zbardhë qartësisht, se projekti i Unazës së Madhe në Tiranë është i zhytur tërësisht në korrupsion dhe procedura antiligjore.

“Tenderi i Unazës së Re që dje u faktua nga një emision ku kishte të falsifikuar firmën e sekretarit të shtetit, tregon se ka kaluar çdo shkallë dhe çdo normë morale dhe ligjore të kësaj qeverie.

Tenderi i Unazës së Re jo vetëm që është një vepër korruptive, por është një ndasi sociale që përbën diskriminim. Prokuroria e ka veprën penale dhe nuk ka më ça pret për të filluar hetimin e kësaj vepre korruptive, diskriminuese që është bërë ditën me diell. Prokuroria ka përpara korrupsionin e tenderit, dokumente të falsifikuara, prandaj nuk mbetet gjë tjetër që të tregojë angazhimin e saj për të treguar që ne kemi bërë reformë në drejtësi. Shpërblimi drejtë sipas ligjit është më e pakta që mund të bëjë qeveria shqiptare.

Nuk kemi parë e dëgjuar që një projekt për 2.3 km rrugë kushton 48 mln euro dhe ka 0 dëmshpërblim për banorët. Prokuroria të nisë procedim penal ndaj të gjithë hartuesve të këtij projekti famëkeq. Iu bëj thirrje të gjithë atyre që janë të përfshirë në këtë zullum të kthejnë sytë nga qytetarët. Ajo qëndresë për më shumë se 1 muaj e atyre banorëve është një mësim i mirë për politikën, për të gjithë ne që kemi qenë pjesë e qeverisjes sepse ky vend nuk mund të drejtohet më me interesa të vogla por në shërbim të qytetarëve. Sot më shumë se kurrë të gjithë ne pa dallim bindjesh, krahine e ideje duhet të jemi kompakt për të ndaluar këtë diskriminim”, tha Kryemadhi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA