Pas 18 vitesh në krye të CDU-së, Angela Merkel tërhiqet! Politikani i financave, Friedrich Merz; sekretarja e Përgjithshme e CDU-së, Annegret Kramp-Karrenbauer; si dhe ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn, janë në garë për ta zëvendësuar atë në postin e kryetarit të CDU-së.

Të tre ata kanë përfunduar fushatën në të gjithë vendin, e janë prezantuar në konferencat rajonale të CDU-së me temat kryesore të përzgjedhura prej tyre; emigracionin dhe Bashkimin Europian. Delegatët votojnë sot në Kongresin e CDU-së në Hamburg për kryetarin e ri.

Friedrich Merz po feston sidoqoftë rikthimin në politikë. Deri në vitin 2002, ai drejtonte grupin parlamentar të kristiandemokratëve në Bundestag, ndërsa Merkel e pretendonte për vete këtë post.

I zhgënjyer, ai u largua nga politika dhe vazhdoi karrierën në ekonominë e financave. Tani, ai është pozicionuar si përfaqësues i vijës së fortë.

Jens Spahn është kandidati më i ri, që konsiderohet krejt ndryshe ndër kandidatët e tjerë. Në sondazhe ai renditet fare poshtë. Ministri i Shëndetësisë konsiderohet si kundërshtar i politikës së Merkelit ndaj refugjatëve dhe mbështetës i temave klasike konservatore.

Favoritja e Merkelit, ndërkohë, është padyshim një femër; Annegret Kramp-Karrenbauer. Ajo konsiderohet si e besuara e Kancelares dhe ka pozicione të ngjashme si ajo. Sidoqoftë, është Kongresi i partisë ai që do të vendosë.

E qartë është se, ai ose ajo që do të jetë në krye të CDU-së, i ka edhe mundësitë më të mira për të qenë kancelari apo kancelarja e ardhshme, sepse Angela Merkel ka deklaruar se nuk do të rikandidojë më në vitin 2021.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA