As Interi nuk arriti të ndalë Juventusin e Allegrit, që triumfoi me rezultatin minimal 1-0 në derbin e Italisë, duke vijuar të mbetet e pathyeshme në këtë sezon të Serisë A italiane.
Nuk shënojnë Cristiano Ronaldo dhe Mauro Icardi, goleadorët respektivë të skuadrave, por ishte veterani kroat Mario Mandzukiç, ai që vendosi fatin e takimit, duke gjetur golin e vetëm të sfidës.
Sfida filloi mirë për të zotët e shtëpisë, që iu afruan disa herë kërcënueshëm kuadratit të Handanoviç, por pa mundur të vënë në provë aftësitë e portierit.
Shkëndija e parë erdhi nga Giorgio Chiellini, i cili u shkëput në zonë dhe gjuajti bukur me kokë një top të ardhur nga këndi, por portieri slloven i Interit reagoi mjaft mirë.
Më pas ishte radha e zikaltërve, që në harkun e dy minutave, krijuan dy mundësi të arta shënimi, teksa në rastin e parë, ishte gagliardini që pasi u shërbye mirë në zonë, gjuajti, por topi u ndal në shtyllën pingule të Szczesnyt.
Aksioni i radhës nisi nga një top që Skriniar i rikuperoi Ronaldos dhe avancoi deri në zonën bardhezi, por gjuajta e Perisiç ishte për t’u harruar, me topin që shkoi jashtë kuadratit, ndonëse mund të bënte shumë më mirë.
Goli për bardhezinjtë erdhi në minutën e 66’, kur ish mbrojtësi zikaltër, Joao Cancelo veproi bukur në krahun e djathtë dhe krosoi një top në dukje pa pretendime në zonë, por që u shfrytëzua mjaft mirë nga Mandzukiç, që e dërgoi në rrjetën e portës së Interit.
Reagimi i zikaltërve ishte i menjëhershëm, me Spallettin që përforcoi sulmin duke aktivizuar Keita Balde dhe Lautaro Martinez, ndërsa ishin pikërisht këta të dy që kërcënuan portën e Szczesnyt me goditje nga distanca, por pa ia dalë të gjejnë rrjetën.
Ishte pikërisht numri 10 i zikaltërve, ai që pati edhe mundësinë e fundit për skuadrën e Spallettit, por gjuajtja edhe këtë herë ishte e pasaktë dhe përfundoi jashtë kuadratit të portës së Juventusit.
Me këtë fitore, bardhezinjtë nxjerrin përfundimisht jashtë luftës për titull Interin, pasi shkojnë në kuotën e 43 pikëve, plot 14 më tepër se zikaltrit, që kanë arritur të grumbullojnë vetëm 29 pikë në 15 takimet e para të kampionatit.
Top Channel