Bushi i vjetër prehet sot në banesën e fundit në Houston

06/12/2018 08:45

Nderimet 4-ditore për George H.W. Bush, presidentin e 41-të të Amerikës, do të përmbyllen këtë të enjte me ceremoninë mortore që do ta çojë trupin e tij të pajetë në banesën e fundit.

Pas funeralit shtetëror të së mërkurës në Uashington, në të cilin morën pjesë 5 presidentë ende në jetë të vendit dhe figura të tjera shtetërore të huaja, arkivoli i mbuluar me flamurin e Shteteve të Bashkuara i Bushit të vjetër është transferuar tashmë drejt Houstonit.

Ai do të dërgohet në Kishën ipeshkvnore të “St Martin”-it, pikërisht aty ku pjesëtarët e dinastisë Bush janë falur për dekada të tëra, përpara se të varroset.

Trupi i pajetë i tij do të prehet në bibliotekën presidenciale në “College Station”, përbri atij të bashkëshortes Barbara, që ndërroi jetë gjatë muajit prill të këtij viti, sikurse edhe vajzës së tyre Robin, që u nda nga jeta prej leuçemisë që në moshën 3-vjeçare.

Në shërbesën përkujtimore, presidenti Donald Trump dhe Zonja e parë Melania ndanë së bashku stolin në radhën e parë në Katedralen kombëtare, së bashku me ish-presidentët Barack Obama, Bill Clinton, Jimmy Carter dhe bashkëshortet e tyre, teksa roja i nderit solli arkivolin e Bushit në sallën e lutjeve.

Ish-presidenti George Ë. Bush mbajti elegjinë mes humorit, por edhe lotëve që nuk mundi t’i përmbante, teksa lëvdoi të atij dhe ish-kryekomandantin e Forcave të Armatosura, i cili u nda nga jeta të premten e kaluar në moshën 94-vjeçare.

Funerali i së mërkurës kulmoi ditën e zisë kombëtare në homazh të Bushit të vjetër, i cili qëndroi në Capitol për t’u nderuar nga mijëra njerëz, ndaj një burrështetasi që udhëhoqi vendin në mesin e kohërave të turbullta, përfshi edhe fundin e Luftës së Ftohtë, me një stil totalisht të ndryshëm nga presidenti aktual.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA