Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas vrasje së një 18-vjeçari shqiptar një ditë më parë në në zonën e Kavallës. Rasti i katërt ky i ekzekutimit të një shqiptari në dy javët e fundit në vendin fqinj.

Teksa shpreh keqardhjen e thellë për humbjen e jetës së të riut shqiptar dhe i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes dhe të afërmve të tij, MEPJ thekson shqetësimin për serinë e vrasjes së shqiptarëve në Greqi përgjatë dy javëve të fundit dhe në të njëjtën kohë solidaritetin me familjet e tyre.

“MEPJ shpreh indinjatën e thellë për humbjen e jetëve të bashkëkombasve tanë, ndjenja këto që thellohen nga vonesat në zbardhjen e këtyre ngjarjeve nga autoritetet greke.

  Tjetër viktimë shqiptare në Greqi, ekzekutohet 18-vjeçari pranë banesës (Foto)

MEPJ dënon ashpër sfondin e ekstremizmit dhe gjuhës së urrejtjes që ka shoqëruar këto ngjarje në vendin fqinj dhe i bën thirrje autoriteteve greke për dënimin dhe vënien fre të çfarëdo përpjekjeje të Agimit të Artë apo segmentëve të tjera ekstremiste për të cënuar sigurinë dhe dinjitetin e shqiptarëve që punojnë e kontribuojnë në vendin fqinj. Nuk pranojmë kurrsesi të mësohemi as me thirrjet e tyre ksenofobe në kanalet e komunikimit dhe as me viktimizimin patetik e nacionalist të ndonjërit syresh që nuk lë rast pa sulmuar Shqipërinë në instancat evropiane.

Në kushtet kur bashkëkombasit tanë po ndjejnë trysninë e një fushate të pashpallur urrejtjeje dhe dhune, MEPJ shpreh angazhimin e Shtetit shqiptar për t’i dhënë viktimave dhe familjeve të tyre mbështetjen e nevojshme ligjore dhe financiare për të mbrojtur të drejtat e tyre themelore, si pjesëtarë të komunitetit më të madh evropian që jeton, studion dhe kontribuon prej dekadash ne Greqi.”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA