Senatorë amerikanë janë shprehur më të bindur se kurrë më parë, pas një seance private informative nga CIA, se princi i kurorës së Arabisë Saudite ka rol në vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi.
Në atë që përbën edhe sulmin më të ashpër, senatori Lindsey Graham tha se “kishte shumë besim” se Mohammed bin Salman ishte bashkëfajtor në vrasjen e Khashoggit. Republikani nga Karolina e Jugut e përshkroi princin saudit si një “shkatërrimtar”, “të çmendur” dhe “të rrezikshëm”.
Në Arabi, ndërkohë, janë akuzuar 11 persona si të dyshuar apo të përfshirë në vrasjen, por mohojnë me këmbëngulje që princi i kurorës të ketë qenë i përfshirë.
Pjesëtarë të Komitetit të Marrëdhënieve të jashtme në Senat nuk folën aspak me delikatesë pas seancës informuese me drejtoreshën e CIA-s, Gina Haspel, ditën e martë.
“Nuk ekziston vetëm një provë e pakundërshtueshme inkriminuese, por prova sharrimi”, tha Graham duke iu referuar copëtimit (gjymtimit) të pretenduar të Khashoggit në Konsullatën saudite në Stamboll, në muajin tetor.
Senatori tha se nuk mund ta mbështesë më përfshirjen e Arabisë Saudite në luftën e Jemenit, apo shitjen e armëve te qeveria saudite, për sa kohë që princi i kurorës mbetet në pushtet. Pikëpamjen e tij e ndau edhe senatori demokrat i Neë Jerseyt, Bob Menendez. Sipas tij “Shtetet e Bashkuara duhet të japin një mesazh të qartë dhe të paekuivok se, të tilla veprime janë të papranueshme në arenën botërore”.
Edhe senatori tjetër Bob Corker foli për reporterët, por duke mos ia përmendur emrin princin, thjesht inicialet. “Nuk kam as më të voglin dyshim në mendjen time se princi i kurorës MBS urdhëroi vrasjen. Nëse ai do të mund të dilte përpara një jurie amerikane, ai do të shpallej fajtor brenda 30 minutash. FAJTOR!” u shprej republikani nga Tennessee.
Corker sugjeroi madje se presidenti Donald Trump e kishte miratuar vrasjen e gazetarit, me refuzimin e tij për të dënuar princin saudit të kurorës.
Top Channel