Mijëra burra dhe gra kanë zbritur nëpër sheshe në Izrael për të protestuar kundër dhunës mbi gratë, duke i nxitur autoritetet të marrin masa kundër abuzimeve të gjinisë femër në familje.
Manifestimi ka nisur në Tel-Aviv, në Habima Square, një nga sheshet kryesore, ku qindra protestuese kanë vendosur mijëra këpucë femrash mbi asfalt, simbolikë e cila në të gjithë botën shpreh viktimat e dhunës.
Protestuesit kanë bllokuar trafikun në disa qytete të vendit në orën 09.30 të mëngjesit të së Martës, duke i krijuar shqetësime qarkullimit të makinave. Ata kanë zbritur në rrugët e Tel-Avivit dhe të Jeruzalemit.
Protesta është zgjeruar edhe në Beersheva, ku 200 protestues, burra dhe gra janë mbledhur përpara bashkisë së qytetit. Ndërsa në Hadera dhe në Herzliva dhjetëra punonjës shtetërorë kanë marrë pjesë në marshimin prej 24 minutash, në kujtim të 24 viktimave të dhunës familjare.
Disa organizata feministe u kanë kërkuar qeverisë që të investojë 250 milionë sheke, rreth 60 milion euro për një plan 5-vjeçar kundër dhunës mbi femrat.
Ky investim në fakt është aprovuar një vit e gjysmë më pare dhe parashikonte një asistencë sociale në çdo stacion policie, përdorimin e byzylykëve elektronikë tek burrat e dhunshëm, krijimin e qendrave strehe për gratë shtatzëna të keqtrajtuara, dhe programe për rehabilitimin e burrave të dhunshëm shoqëruar me tranferimin e grave të abuzuara jashtë shtetit.
Top Channel