Java e 15 e kampionatit italian të futbollit ka rezervuar sfidën mes Juventusit dhe Interit, një përballje kjo që ka brenda vetes edhe duelin mes Cristiano Ronaldos dhe Mauro Icardit, dy lojtarët simbol të skuadrave respektive në këtë sezon futbollistik.
Sigurisht në letër, ky krahasim mes këtyre dy lojtarëve nuk mund të bëhet. Nga njëra anë është Cristiano Ronaldo që ka në “palmares”-in e tij 26 trofe të fituara me klubet, 5 “Topa të Artë” dhe titullin e kampionit të Europës me Portugalinë. Ndërsa Icardi nuk ka asnjë titull të fituar.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se në sfidën e “Allianz Stadium” të Torinos nuk do të ketë shkëndija mes tyre, pasi shifrat e këtij viti flasin qartë.
Në këtë sezon, Ronaldo ka shënuar 10 gola në 14 ndeshje, ndërsa Icardi ka 8 finalizime në 11 sfida. Kjo do të thotë se Ronaldo ka shënuar 32% të golave të Juventusit, ndërsa Icardi 30% të atyre të Interit, shifra këto që janë vetëm për Serie A. Po t’u shtojmë edhe Champions League, atëherë Ronaldo shkon në 11 gola në 18 ndeshje, ndërsa icardi në 11 gola në 16 ndeshje.
Po të marrim parasysh të gjithë karrierën, atëherë këtu bilanci anon dukshëm nga Ronaldo. 33-vjeçari ka 584 gola në 779 ndeshje, ndërsa sulmuesi i Interit është me 129 gola në 231 ndeshje, me mesatare 0.75 gola për ndeshje për portugezin e 0.56 për Icardin.
Por, Icardi ka një avantazh kundrejt Ronaldos, që ka të bëjë me golat e shënuar respektivisht kundër Juventusit e Interit. “Zonja e vjetër” është në fakt një prej viktimave të preferuara të Icardit, pasi e ka ndëshkuar atë 8 herë me fanellën e Sampdorias dhe të Interit, ndërsa Ronaldo e ka shënuar të vetmin gol ndaj Interit më 11 mars të vitit 2009, kohë kur vishte fanellën e Manchester United.
Top Channel