Ilia Duka dhe bashkëshortja e tij Marika frekuentojnë çdo ditë parkun pranë Liqenit Artificial.
Sot, në 75-vjetorin e të atit vajza u ka bërë dhuratë mbjelljen e tre fidanëve pranë këtij parku. Kryetari i bashkisë ka vlerësuar këtë gjest dhe ka uruar 75-vjeçarin.
“Jam shumë i lumtur që e nisëm ditën mbarë me një surprizë për mikun tonë, Ilia, që është një djalë i ri, por me letra sot ka 75-vjetorin. Jam shumë i lumtur që Blerina dhe Maria, dy vajzat e shtëpisë, organizuan këtë surprizë. Nuk besoj se kishte mënyrë më të mirë se kjo për t’i dhuruar tre pemë parkut tonë, në një rrugë të cilën Ilia dhe Maria e përshkojnë çdo ditë në ajër të pastër”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku vlerësoi ndryshimet që janë bërë në këtë park: “Unë e mbaj mend si ka qenë ky territor: komplet i zaptuar, me ndërtime pa leje, me shkatërrime dhe degradim. Ishte vendim i vështirë, u desh të prishnim disa struktura, por ja ku jemi sot! Vendi është më i bukur dhe shijohet nga të gjithë, nga 1 milion banorë, jo vetëm nga 2-3 që kishin zaptuar hapësirën këtu. Sot jam shumë mirënjohës sepse në fund të ditës pemët që kam përballë dhe pemët që kemi mbrapa janë mbjellë nga njerëz të thjeshtë, jo nga kompani, por ashtu siç i vajti mendja Blerinës për të kujtuar ditëlindjen e babait duke mbjellë tre pemë. Ky qytet është sukses i njerëzve të thjeshtë”.
Veliaj ftoi çdo qyetar që në raste ditëlindjesh apo përvjetorësh t’u dhurojnë pemë të afërmve të tyre në mënyrë që të arrihet edhe objektivi për të mbjellë 150 mijë pemë në vit.
Top Channel